Mediat turke kanë nisur të shkruajnë për të vërtetën e mbylljes së kopshtit të kompanisë “Turgut Ozal” dhe të kolegjit të vajzave “Mehmet Akif”. Sipas tyre, shkollat në fjalë u mbyllën me kërkesë të Presidentit turk, Erdogan.

“Takvim”, një gazetë pranë qeverisë në Turqi, shkruan se gjithçka ndodhi “pas përpjekjeve të gjata diplomatike dhe vizitës së fundit të Presidentit të Turqisë në Ballkan”.

Sipas “Takvim”, qeveria shqiptare vendosi mbylljen e këtyre shkollave dhe përzënien e mësuesve prej tyre pas aktivitetit të shtuar të diplomacisë turke.

“Shkollat u mbyllën pas përpjekjeve diplomatike të Turqisë. Menjëherë pas vizitës së Presidentit Erdogan në Ballkan filloi edhe mbyllja e aktivitetit të tyre duke u përzënë prej andej. Pas kopshtit të kompanisë “Turgut Ozal”, u mbyll edhe kolegji “Mehmet Akif””, shkruan Takvim në faqen e saj.

Të njëjtën gjë kanë raportuar edhe gazetat “Aksam” si edhe televizioni shtetëror turk, TRT.

I pyetur prej gazetarëve në lidhje me këtë çështje, kryeministri Rama u shpreh se nuk ndikohet prej presionit të asnjë politikani të huaj apo vendas. Sipas tij, vendimet janë marrë duke u bazuar në shkelje ligjore.

Lexo edhe:

Mbyllja e kolegjit turk/ Rama: S’ka konspiracion, po zbatojmë ligjin

“E kam thënë me kohë, por po jua them përsëri, mjafton t’u referoheni fakteve, pastaj përrallat mbi pse bëhen gjëra keni plot që jua tregojnë. Gjërat që unë bëj, i bëj për ato qëllime që them. Vendimmarrjet tona dhe të miat janë ato që unë them. Merrni dhe shikoni dokumentacionin. Po të ishte kjo një çështje politike dhe po të ishte një mbyllje e natyrës politike, pse do merreshim ne me një kolegj vajzash? Kur ndërkohë janë plot struktura të tjera, që janë atje dhe as nuk i ka ngacmuar askush. Për çfarë arsye? Arsyeja është shumë e thjeshtë, siç kemi vepruar për çdo subjekt dhe këtë mund ta investigoni me Ministrinë e Arsimit”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk është hera e parë që i hiqet licensa një institucioni arsimor dhe nuk keni bërë asnjë zhurmë për raste të tjera. Do të ishte shkelje e ligjit nga Ministria nëse nuk do të vepronte, sepse ky aktivitet është spostuar në një vend tjetër, pasi godina është shitur dhe spostimi është bërë pa marrë asnjë miratim. Nuk ekziston në legjislacionin e Republikës së Shqipërisë që ti të nisesh me një licensë që e ke për të zhvilluar aktivitetin këtu dhe të shkosh ta bësh në një vend tjetër, minimalisht pa shkuar pa marrë leje. Këtë ka vërtetuar edhe vendimi i djeshëm i gjykatës”, theksoi Rama.