Ish-mesfushori i famshëm i Manchester Cityt, Shaun Wright-Phillips, gjatë një interviste së fundmi ka thënë se ish-skuadra e tij tani me nënshkrimin e sulmuesit norvegjez, Erling Haaland, sezonin e ardhshëm mund të fitojë Ligën e Kampionëve, transmeton Gazeta Metro.


Ish-sulmuesi i Borussia Dortmund, Erling Haaland, është lojtari më i ri i ‘Citizens’ dhe me klasin që posedon do të jetë tejet i dobishëm për Pep Guardiolan dhe një ‘arrë e fortë’ për mbrojtjet kundërshtare.

 

Që do të jetë i dobishëm për Manchester Cityn ashtu mendon edhe Shaun Wright-Phillips, i cili ka pasur fjalë shumë të mira për norvegjezin, duke u shprehur edhe optimist se në edicionin e tij të parë në kampionatin anglez do ta fitoj Këpucën e Artë.

 

”Unë mendoj se Haaland do të fitojë Këpucën e Artë, është vetëm një çështje se sa gola do të shënojë gjatë sezonit. Ai është pjesa që i mungonte Manchester Cityt dhe me nënshkrimin e tij, ata mund të fitojnë Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm,” tha ai.

Ndër të tjera ish-mesfushori anglez foli edhe për transferimin më të ri të Liverpool, Darwin Nunez, ku gjithashtu edhe për të mendoi se do të përshtatet shumë mirë me ‘The Reds’.

”Nunez me të vërtetë i përshtatet mënyrës se si luan Liverpool dhe ju mund ta shihni se, për shkak të asaj se sa mirë rekrutohen të dy skuadrat, edhe të dy lojtarët duket se tashmë do të përshtaten në mënyrë të përsosur në ekipet e tyre,” shtoi ai.

 

Të dy sulmuesit në edicionet paraprake me ish-ekipet e tyre Benfican dhe Borussia Dortmund, treguan paraqitje të jashtëzakonshme duke qenë edhe gjithashtu si dy liderët e skuadrave, ndërsa pritet të jenë edhe shumë të rëndësishëm për kampionin dhe nënkampionin e Anglisë.