Nuk ishte i pari që ngriti në qiell Kupën – Championsin e katërmbëdhjetë në historinë e Real Madrid – sepse donte t’i bënte homazhe shokut të tij të skuadrës Marcelo, në ndeshjen e tij të fundit me fanellën e bardhë pas 15 vitesh dhe 25 trofesh të fituar. Por triumfi i merengues në finalen e Parisit ndaj Liverpool ka një peshë të dyfishtë për Karim Benzema, i cili bëhet zyrtarisht kandidati kryesor për triumfin në garën për Topin e Artë, në pritje të Botërorit të Katarit, ku mund të mbërrijë edhe kurorëzimi përfundimtar. Të shumtë janë ata që nuk kanë asnjë dyshim se kujt do t’i shkojë trofeu më prestigjoz individual, por apeli i Thierry Henry në fund të ndeshjes në Stade de France ngjan me një vulë: “Mbyllni votimet për Topin e Artë, Benzema e ka fituar tashmë”, ishte fjalia e artikuluar nga ish-sulmuesi francez.

Në finale Benzema mbeti në të thatë – shënoi, por goli u anulua për pozicion jashtë loje – e megjithatë bilanci i tij në Champions League këtë sezon thotë pesëmbëdhjetë gola shumë të rëndë, me dy trigolësh radhazi kundër PSG-së në ndeshjen e dytë të raundit të 1/8 dhe kundër Chelsea në ndeshjen e parë çerekfinale, pa harruar edhe tre gola në total në gjysmëfinalen e pabesueshme të dyfishtë kundër Manchester City të Pep Guardiolës, të cilave i shtohen edhe dy asiste në 12 ndeshje. Shifra të shkëlqyera, që i bashkohen atyre që e udhëhoqën Real Madrid drejt triumfit në La Liga: 27 gola dhe 12 asiste në 32 ndeshje.

“Topi i Artë? Të shohim çfarë do të ndodhë, të shpresojmë”, është shprehur sulmuesi francez duke komentuar triumfin ndaj Reds. Por për momentin rruga drejt trofeut duket e qartë. Vetë shoku i skuadrës Thibaut Courtois, MVP i finales falë pritjeve të tij të mëdha, përulet para francezit. “A po synoni për Topin e Artë? Është e pamundur që një portier ta fitojë atë, veçanërisht nëse luan në një ekip me Benzema”.