Partia Demokratike ka nisur çmontimin e dyerve të blinduara brenda saj si një shenjë përbashkimi, pas një periudhe të gjatë tensioni që u krijua veçanërisht prej mosmarrëveshjeve mes dy ish-liderëve të saj, ish-kryetarit të PD-së Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit, Sali Berisha.

Blindimi i brendshëm i Partisë Demokratike, prej të cilit ish-kryetari i PD nisi të njihej dhe me pseudonimin “Lul brava”, nisi më 6 janar, dy ditë përpara protestës së 8 janarit, të njoftuar nga Sali Berisha, gati tre muaj më parë.

Pas blindimit të brendshëm të PD-së, Berisha e akuzonte Bashën se po e shndërronte këtë parti në një bunker privat.

“Kështu, në një akt turpi dhe paniku të denjë vetëm për një apartcik të marrë peng, ai ndërron brava dhe po vendos dyer të blinduara për të shndërruar shtëpinë e demokratëve, selinë e Partisë Demokratike, në bunkerin e tij privat.

Me këtë rast i kujtojmë Lulzim Bravës që mendon se me dyer dhe brava do të mposhtë shumicën dhe pluralizmin në Shqipëri se ata që shembën regjimin më gjakatar në ’90 nuk do të lejojnë kurrë asnjë derë brave, hekur apo shul të mbajë peng vullnetin e tyre të shprehur përmes votës së lire”, u shpreh Berisha.

Ndërsa Basha pranoi me vështirësi atë që po ndodhte brenda selisë blu.

“Dyert nuk ishin të blinduara, prandaj ju bëra turin LIVE, aty ishit, vetëm dera e serverit ishte. Nëse e kishit fjalë për dyert e reja të instaluara në shkallë, normale, ishte detyra ime ta bëja si kryetar i zgjedhur në momentin që Berisha deklaroi se ishte i aftë të shkelte mbi kufoma. Që dalja me arkivol nga PD të mos realizohej. I vetmi arkivol që doli sot ishte ai politik i Sali Berishës”, tha Basha asokohe.

Dorëheqja e ish-kryetarit të PD, Lulzim Bashës, risolli optimizmin në kampin blu dhe dëshirën e dy poleve të shkëputura prej saj, për të qenë edhe njëherë të bashkuar.

Ditën e djeshme, Kryesia e kësaj partie u mblodh për të vendosur se si do të gjendet rruga drejt këtij bashikim.

Disa nga drejtuesit e PD-së kërkuan heqjen e dyerve të blinduara, si dhe që të tentohet bashkimi me grupimin e Berishës.

Deputeti demokrat Helidon Bushati u shpreh dje se zhveshja e selisë së Partisë Demokratike nga fortifikimet dhe dyert e blinduara është hapi i parë drejt bashkimit të partisë.

“Jemi këtu për të mirën e PD. Ne që jemi këtu dhe ata që nuk janë, por shpresoj të jenë. Bashkimi është kryefjala e retorikes dhe e vlerësimit tonë politik. Duhen akte konkrete për këtë. Debat konstruktiv që objektiv të jetë bashkimi, pa përjashtuar asnjë. Gjesti i parë do të ishte heqja e dyerve të blinduara. Nuk e kam unë vetëm këtë mendim. Duhet të kthehemi në normalitet. Pa hyre ishte mirë apo keq, duhet të hiqen. Hap i pare për bashkimin. Vetëm të bashkuar mund të jemi konkurrues në zgjedhjet e ardhshme, lokalet janë më të afërta”, u shpreh ai, i mbështetur në këtë argument dhe nga të tjerë brenda kësaj force politike.

Ditën e sotme, këto propozime, për t’i hapur sërish dyert dy gjysmave të demokratëve të ndarë, janë duke u bërë realitet.