Kryetari demokrat, Sali Berisha, shprehu kritika sot në Këshillin Kombëtar për mënyrën se si është organizuar PD në nivelet më bazike.

“Ku është PD sot? Është larg asaj që duhet të jetë. Kur them PD, kam parasysh seksionet dhe grup-seksionet. Si të jenë ata, do jemi ne.

E vërteta, thelbi i PD-së para të gjithash është si të funksionojnë qelizat tona, njësitë tona, ashtu do funksionojë në thelb partia. Vjen një moment që nuk ka më konferenca shtypi, nuk ka takime me duartrokitje, ai moment është më vendimtari, ai është votimi, ai është prova e përgjithshme. Ajo betejë zhvillohet mes seksioneve.

Jemi larg. Unë duhet të jemi realist me ju. Unë kam marrë gjithë kohës informacione dhe ju garantoj se është urgjente ndryshimi i situatës. Askush të mos mendojë se mund të fitohet vetëm me makro-aktivitete. Nuk fitohet. Ato janë të domosdoshme.

Por pa kombinimin e aktiviteteve të tjera në nivel seksioni, në nivel hyrje,blloku, në çdo skaj, ne në këto kushte fitore nuk shohim.

Në vetëm rrimë duke shprehur habi për veprimet e një njeriu që vjedh përditë qytetarët dhe tallet me ta. Çdo ditë që kalon jemi të vonuar në përballjen me të,” tha Berisha.

Sali Berisha, kritikoi në fjalimin e tij në Këshillin Kombëtar, mënyrën se si po organizohet partia në nivelet më bazike.

Ai tha se duhet punë më e madhe në nivel seksionesh, ndërsa tha se në vend ka mijëra oratorë, që duhen mobilizuar si misionarë.

“Po t’u bëj një pyetje, ju i keni ndjekur foltoret dhe takimet. U them unë ju, që elementi më spikatës, më i rëndësishëm i tyre janë fjalët e atyre qytetarëve dhe atyre demokratëve. Nuk janë fjalët e mia. Janë një mori çështjesh.

A e shihni sa bukur flasin ata? Çfarë dua të them me këtë? Potencialet i kemi të jashtëzakonshme, por duhet t’i shfrytëzoni.

Po çfarë të deleguari doni ju më shumë se atë mjeken, e cila në tre minuta, i bëri radiografinë sistemit në mënyrën më të shkëlqyer. E dëgjuat çfarë oratoreje. Çfarë misionareje doni më shumë se atë mësuesen që denoncoi atë që po bëhet në arsim.

Ne kemi me qindra e mijëra oratorë, që duhet t’i mobilizojmë si misionarë. Ne duhet të jemi misionarë. Dhe misionarët kanë forcën e fjalës. Bindin me fjalë. Unë personalisht e kam vlerësuar jashtë mase fjalën e demokratëve në takime. Shoh një nivel politik të shkëlqyer. Ata flasin sikur të jenë analistë, sikur të jenë politologë.

Të gjithë këtë e thashë se kemi potenciale të mëdha, por urdhëroni t’i shpalosim.

Duhet të jemi realistë. Për të qenë realist, duhet të njohim realitetit. Është e domosdoshme që pas kësaj mbledhje, krerët e degëve të mbledhin kryesinë dhe të bëjnë një plan të detajuar pune për të gjithë aktivitetin dhe takimet në nivel seksioni dhe grup-seksioni.

Të deleguarit i keni ju. Po çfarë doni më shumë se fjalën e një mjeku, një inxhinieri, një pensionisti.

Bashkë me ta të shkojnë, të takojnë, të trokasin, të verifikojnë. Mos të harrojmë se në zgjedhjet e fundit ne kemi pasur dhjetëra qendra votimi pa komisionerë.

E turpshme, një parti kombëtare që nuk nxjerr dot komisionarë,” tha Berisha.