Pikat kufitare të Kosovës me Serbinë në Jarinjë dhe Bërnjak vijojnë të mbeten të bllokuara me barrikada të vendosura nga serbët lokalë. Ndërkohë, në pikën kufitare në Merdare po lëshohen fletëdeklarimet për gjithë shtetasit serbë që po hyjnë në Kosovë. Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti ka bërë me dije se pavarësisht se barrikadat nuk janë hequr, situate paraqitet e qetë.

“Gjendja nuk ka ndryshuar. Situata është e qetë, nuk ka ndodhur asgjë. Barrikadat janë ende prezentë aty, por të shohim sot gjatë ditës se çfarë do të ndodhë pas vendimit që është marrë”, tha Hoti.

Të gjitha këto tensione në veri të Kosovës, janë shkaktuar nga serbët, të cilët kundërshtojnë vendimin e qeverisë për pajisjen me dokumenta dhe targa të Kosovës. Vendimi ishte parashikuar të hynte në fuqi ditën e sotme, por pas tensioneve të shkaktuara, ku ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri, qeveria e ka shtyrë vendimin me 30 ditë, deri më 1 shtator.