Rreth 100 tifozë të ekipit italian të Romës kanë mbërritur, mëngjesin e kësaj të marte, në Portin e Durrësit nëpërmjet linjës së tragetit Bari-Durrës. Tifozët kanë ardhur në mënyrë të organizuar, ndërsa policia lokale ka marrë masa për shoqërimin e tyre dhe krijimin e korsive të dedikuara për transportin e tyre drejt kryeqytetit apo hoteleve ku kanë prenotuar. Ndërkohë pritet që mëngjesin e së mërkurës të mbërrijnë nëpërmjet linjës së trageteve mbi 350 tifozë të tjerë të ekipit të Romës, të cilët gjithashtu do të shoqërohen nga forcat e policisë.

Përveç aeroportit të Tiranës, porti i Durrësit do të jetë porta tjetër hyrëse ku pritet të vijnë disa qindra tifozë për finalen e Conference League, që do të luhet mbrëmjen e së mërkurës në Tiranë.