Nga Shkodra Presidenti i Republikës, Ilir Meta i është përgjigjur kryeministrit Rama, i cili u shpreh se në vend të shqiptarëve mund të merren edhe punëtorë nga Bangladeshi.

Kreu i Shtetit tha se vota e 25 prillit duhet të përdoret për të ndaluar largimin e shqiptarëve, pasi do të mjaftonte një fshat i Indisë për të shpopulluar vendin tonë.

“Unë kam këtu ti bëj të qartë çdo qytetari se ai është zoti i vendit të tij dhe kjo gjë materializohet me votën e tij. Pamundësia për të votuar na solli atje ku e dimë të gjithë. Tani kemi një mundësi të jashtëzakonshme, kemi votën tonë dhe fuqinë e kësaj vote dhe ta përdorim për të mbrojtur të ardhmen tonë, për të mos lejuar më shpopullimin e Shqipërisë, për ti zëvendësuar ata me qytetarë nga vendet të tjera. Se do të mjaftonte një fshat i Indisë për të shpopulluar gjithë Shqipërinë”, tha Presidenti.

Ndër të tjera, Kreu i Shteti tha se vendi është në një udhëkryq, por u shpreh i bindur se në 25 prill do t’ia dalë me sukses.

“Unë kam patur ftesë si president nga shoqata e 2 prillit dhe kam bërë çdo gjë që të jem sot prezent këtu. Ky është një moment i rëndësishëm sepse vendi është në një situatë kritike është në një udhëkryq dhe besoj do të dalim me sukses.

Unë cdo përgjegjësi dhe çdo problem që  kam do ta shlyej duke qenë në krye të  mbrojte të demokracisë dhe votës së lirë të qytetarëve shqiptarë në 25 prill.

Nuk e di cila është përgjegjësia ime, unë jam student i dhjetorit dhe e kam thënë edhe më parë. Nuk i kam takuar shtresës së nderuar të persekutuarve, por kam qenë i bindur në padrejtësinë e atij sistemi që nuk mund të tolerohej më. Gjithmonë kam qenë për demokracinë dhe jo për kapjen e shtetit dhe zëdhënës i kapjes së shtetit”.