Sadio Mané është i gatshëm të vdesë në fushë për Senegalin e tij. Lojtari ka dëmtuar kokën gjatë 1/8 të finaleve të Kupës së Afrikës mes kombëtares së tij dhe Kepit të Gjelbër. Pavarësisht nga tronditja cerebrale, ai nuk ishte i gatshëm të humbiste çerekfinalet e kompeticionit. Më pas, lojtari propozoi të nënshkruante një marrëveshje me mjekët e klubit dhe Federatën për të marrë të gjitha përgjegjësitë në rast vdekjeje.

Mané dëmtoi kokën pas përplasjes me portierin Vozinha: portieri u largua menjëherë nga fusha dhe u transportua në spital, ndërsa sulmuesi senegalez vazhdoi të luante derisa u ndje keq dhe trajneri u detyrua ta zëvendësonte. 30-vjeçari për siguri u transportua në spital për ekzaminime.

Ndërkohë, Senegali fitoi ndaj Kepit të Gjelbër dhe arriti në çerekfinale të turneut. Mané, duke pasur parasysh tronditjen e pësuar, ishte në dyshim. Klubi i tij në atë kohë, Liverpool, i kishte shkruar federatës senegaleze dhe FIFA-s për tu siguruar që lojtari të pushonte për të paktën pesë ditë. Vetëm se Sadio kishte plane të tjera në mendje. 30-vjeçari, nëse do të ndiqte udhëzimet e Reds dhe mjekëve, do të humbiste ndeshjen çerekfinale. E ai nuk ishte i gatshëm të humbiste ndeshjen, madje kërkoi të rrezikonte edhe jetën e tij.

Ai rrëfeu vetë për Pro Direct Soccer France: “Kur u dëmtova kundër Kepit të Gjelbër dhe pata një tronditje cerebrale, nuk fola kurrë për atë ditë, Liverpooli bëri presion mbi federatën dhe i shkroi një letër FIFA-s duke thënë se më duheshin të paktën pesë ditë pushim e kjo do të thoshte se duhej të humbja çerekfinalet. Këto rregulla donte t’i zbatonte edhe mjeku ynë i kombëtares. Kur më njoftuan, thirra trajnerin dhe i thashë ‘Doktori nuk do që unë të luaj, por duhet të më futësh në 11-shen titullare’“.

Një kërkesë e pamundur. Mané, megjithatë, ishte i gatshëm edhe të vdiste duke marrë të gjitha përgjegjësitë: “Ishte rreth një ose dy e mëngjesit, të gjithë u kapën nga paniku dhe unë thashë ‘Trajner e di që edhe ju keni frikë. Thjesht shkruani një letër duke thënë se kam luajtur me vullnetin tim, në rast se vdes ose çfarëdo të ndodhë. Të gjithë ishin të tensionuar. Nuk e firmosa letrën, sepse në fund më thanë ‘jo, jo nuk është e mundur’, por isha gati ta bëja. Doktori pastaj tha ‘Mirë, le të bëjmë një skaner në mëngjes’”.

Në fund, Mané mundi të dilte në fushë: “Në mëngjes bëmë skanerin, e dërguam në Konfederatën e Futbollit Afrikan, ata e kontrolluan me mjekun dhe nuk kishte asgjë shqetësuese, kështu që doktori tha ‘Mirë, mund të luash’. Të më shihte duke nënshkruar një marrëveshje do të ishte e komplikuar edhe për të. Faleminderit Zotit gjithçka shkoi mirë”. 30-vjeçari u bë heroi i Senegalit, duke shënuar penalltinë fituese në finalen kundër Egjiptit.