Kanë mbetur pak më shumë se dy muaj deri në 30 qershor, afati i fundit për kontratat e futbollit dhe Ralf Rangnick ka zbuluar atë që përflitej prej kohësh: “Pogba nuk do të rinovojë kontratën, me shumë mundësi ai nuk do të jetë këtu sezonin e ardhshëm”. Prej muajsh dihej vullneti i mesfushorit francez për t’u larguar nga Manchester United, me sa duket as nënshkrimi me Ten Hag nuk ka shërbyer për të ndryshuar gjërat. Në të vërtetë, në Angli ka nga ata që argumentojnë se ishte trajneri aktual i Ajax, që i ka kërkuar drejtuesve të Djajve të Kuq të mos fokusoheshin tek Pogba, i cili tani po shikon përreth.

Lajmet që vijnë nga Manchester i japin krahë ëndërrave të tifozëve të Juventusit që ëndërrojnë rikthimin e “Oktapodit” në bardhezi, por rrethanat nuk kanë ndryshuar në krahasim me disa javë më parë: për të parë 29-vjeçarin në Torino nevojitet një përpjekje e madhe nga pikëpamja e pagës, duke qenë se Pogba aktualisht fiton 15 milionë euro në vit. Do të duhej të paktën një prerje me gërshërë në masën 50%, duke arritur në 7.5 milionë në vit për bazën fikse, ndoshta për t’u forcuar me bonuse rendimenti.

Ajo e francezit do të ishte një lloj zgjedhje “dashurie”: konkurrentët e Juves quhen Paris Saint-Germain dhe Real Madrid, të gatshëm të ofrojnë paga dyshifrore duke marrë parasysh kursimet mbi kartonin e lojtarit (pa komisionet për Raiolën). Nuk është rastësi që drejtuesit e Juventusit nuk i harrojnë alternativat që të çojnë te Milinkovic-Savic (Lazio), Jorginho (Chelsea) dhe Renato Sanches (Lille).