Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, në një prononcim nga pika e testimit të shpejtë në qendrën shëndetësore “Qyteti Studenti”, u shpreh se Shqipëria do të garantojë furnizimin me vaksinën antiCOVID përmes dy kontratave, drejtpërdrejtë me Pfizer si dhe nëpërmjet mekanizmit COVAX.

“Kemi filluar vaksinimin me më shumë se 500 mjekë dhe infermirë të spitaleve COVID dhe vaksinimi do të vijojë, pasi ne kemi garantuar edhe vijimin e furnizimit me dozat e vaksinës nëpërmjet kontratës me Pfizer dhe gjithashtu edhe nëpërmjet COVAX, ku kemi parapaguar 4 milion dollarë dhe që pritet që furnizimet e para të vijnë në Shkurt. Vaksinimi ështe një armë më shumë për mposhtjen e këtij virusi, por ne duhet paralelisht të vijojmë me vigjilencë të shtuar, në mënyrë që të kontrollojmë situatën e epidemisë në vend”, tha Manastirliu.

Ajo shtoi gjithashtu se në Shqipëri nuk ka mbërritur ende varianti i ri i koronavirusit, që ka ngritur alarmin në Evropë. Manastirliu theksoi se po punohet me vigjilencë të shtuar për të hetuar rastet e infektimeve nëse janë ato të virusit të parë apo të mutacionit që është identifikuar fillimisht në Angli.

Edhe pse e qendrueshme, rritja e numrit të infektimeve e këtyre ditëve tha Manastirliu, “na vendos përballë një vigjilence të shtuar në raport me vlerësimin e situatës se masave. Kërkohet që e njëjta vigjilencë të jetë dhe nga qytetarët”.

Sipas ministres, “lufta ende vazhdon dhe vendi është akoma në mes të betejës”.