Vendet perëndimore kanë dënuar planet e Moskës për të mbajtur të ashtuquajturat referendume urgjente në pjesë të Ukrainës që janë aktualisht nën kontrollin rus.

Votimet janë thirrur nga zyrtarë të mbështetur nga Rusia në katër rajone të Ukrainës për të pyetur nëse ata duhet të bëhen pjesë e Rusisë.

SHBA, Gjermania dhe Franca kanë thënë se nuk do t’i njihnin kurrë rezultatet e këtyre votimeve, duke i quajtur të rreme.

Aleanca ushtarake e NATO-s tha se planet parashikonin një përshkallëzim në luftë, raporton BBC.

Planet për të mbajtur votime për pesë ditë, duke filluar nga e premtja, janë njoftuar në rajonet lindore të Luhansk dhe Donetsk, si dhe Zaporizhzhia dhe Kherson në jug.

Kjo zonë përfaqëson rreth 15% të territorit ukrainas, ose sa madhësia e Hungarisë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.

Sugjerimi se zgjedhjet legjitime dhe të drejta mund të zhvillohen në mes të një lufte u përbuz menjëherë nga Perëndimi.

Kancelari gjerman Olaf Scholz kritikoi planet ruse për vota të falsifikuara, ndërsa presidenti francez Emmanuel Macron i etiketoi ato një parodi të demokracisë.

“Nëse ideja e referendumit të Donbasit nuk do të ishte aq tragjike, do të ishte qesharake”, u tha Macron gazetarëve në Nju Jork, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Ai iu lut vendeve neutrale që të ndryshojnë qëndrimin e tyre ndaj luftës, duke thënë se heshtja ose bashkëfajësia ishte një “gabim historik”.

Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA, Jake Sullivan tha se SHBA nuk do t’i njohë kurrë votat, duke i quajtur ato “një fyerje ndaj parimeve të sovranitetit dhe integritetit territorial”.

Çdo referendum i planifikuar nga forcat pushtuese bie ndesh me ligjin ndërkombëtar dhe nuk do të ketë fuqi ligjore, tha Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në një deklaratë.