Kthimi i lumtur në Tottenham nuk është i mjaftueshëm për Gareth Bale e lojtari uellsian është ende i vendosur të kthehet në bazë, tek Real Madrid, për të përfunduar kontratën e tij me klubin spanjoll. Këtë e deklaroi vetë Bale, i cili foli direkt nga grumbullimi i Uellsit, i impenjuar për debutimin në fushatën kualifikuese të Botërorit Katar 2022: “Plani im ishte që të bëja një sezon te Tottenhem dhe pas Kampionatit Evropian të kthehesha tek Real Madrid për vitin e fundit të kontratës. Mund të them se planet e mia nuk kanë ndryshuar dhe prandaj jam i gatshëm të kthehem në Real Madrid pas Evropianit ”.

Lajme që sigurisht nuk do t’i pëlqejnë Josè Mourinho, trajneri aktual i Tottenham, i cili ka bërë gjithçka për ta rikthyer sulmuesin e fortë anësor në klubin që e bëri kampion. Nuk do të jetë i lumtur gjithashtu as Real që mezi e largoi lojtarin që në Madrid bënte më tepër golfistin se futbollistin.