qeveria
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka vonuar t’u kthejnë kusurin akuzave të disa përfaqësuesve të PS –së që e shohin atë përgjegjëse për humbjen e bastioneve në zgjedhjet e qershorit. Në Lezhë, Pogradec e Mallakastër PS e drejtoi gishtin nga kandidatët e LSI apo drejtorët e emëruar prej saj, që kanë shkaktuar pakënaqësi tek baza socialiste. Duke mos dashur të përballet me rezultatin e zgjedhjeve me aleatin kryesor, LSI është mjaftuar me deklaratën e kryetarit Meta “se bashkitë e mëdha u fituan nga kontributi i saj” dhe ka ndryshuar taktikë. Partia e Metës ka vënë në shenjestër mënyrën e qeverisjes, përgjegjësia për të cilën është krejtësisht e Edi Ramës. Kryetari i Grupit Parlamentar, Petrit Vasili e ka kritikuar qeverinë në çështjen kryesore, atë të ekonomisë, duke e shfaqur para publikut si qeveri pa vizion. Për paketën fiskale- thotë Vasili- qeveria nuk ka treguar vizion dhe politikat e saj nuk kanë prodhuar rezultat. “Mund të kenë qenë qëllim i mirë, por jo vizionare, pra duhet një vizion gjithmonë e më taktik, më të qartë dhe shfrytëzimi i potencialeve të vendit në maksimumin e vet për të mos patur potenciale të pashfrytëzuara apo të paeksploruara, që në mënyrë pasuese të kishim një ekonomi që nuk ecën përpara, një rritje ekonomike që nuk ecën”, tha Vasili nga Jali, ku gjendet bashkë me kryetarin Meta. Qeveria e ka mbrojtur paketën fiskale dhe ka bërë veshin e shurdhër edhe kur ajo është kritikuar nga biznesi apo opozita. Ekonomia po përballet me vështirësi. Investimet kanë rënë, ndërsa qeveria dështoi të realizojë të ardhurat doganore e tatimore dhe të hapë vende të reja pune. Korrupsioni në administratë vijon të jetë në nivele të larta. LSI po e thumbon aleatin që ka përgjegjësinë për qeverisjen në çështjen më delikate, njëkohësisht duke u zhveshur nga përgjegjësia për dështimet, njësoj siç bëri me qeverinë Berisha, pjesë e të cilës ishte mandatin e kaluar.