Sa më shumë afrohet 25 prilli, aq më tepër shtohen llogaritë se si do të dalin zgjedhjet e reja: sa i mundshëm është një mandat i tretë për Edi Ramën, apo sa reale një mundësi përmbysjeje nga opozita.

Sipas analistit Mustafa Nano, fitorja e socialistëve është e sigurtë, jo vetëm sese Rama është një kafshë politike e ngjashme me Enver Hoxhën, jo vetëm se socialistët kanë një elektorat tradicional të konsoliduar, por edhe sepse ish partia e Berishës nuk ka ndryshuar dhe nuk ka kërkuar falje për fajet e së shkuarës.

“Edhe sikur qielli e toka të kthehen përmbys, PS-ja nuk mund të marrë më pak se 3 deputetë në Shkodër, 3 në Lezhë, 18 në Tiranë, 10 në Fier, 6 në Korçë, 4 në Berat, 7 në Elbasan, 2 në Gjirokastër, 8 në Vlorë, 1 në Dibër, 1 në Kukës, 7 në Durrës etj. Këto janë shifra, poshtë të cilave PS-ja e ka të pamundur të zbresë, edhe sikur të dojë.

Dhe kështu, në versionin më të keq, PS-ja nuk zbret dot nën 70 deputetë. Është lumi i saj i qëndrueshëm elektoral (që nuk ka të bëjë fare me mënyrën se si ajo ka qeverisur) dhe Kodi Zgjedhor që e gatuajnë këtë situatë, e cila mund të përmbyset veç nga një proçkë kolosale e Edi Ramës (fjala vjen, nëse zbulohet se ai ka porositur që vaksinat kundër COVID-it të kenë cianur në përmbajtjen e tyre)” ka shkruar Nano në një analizë tek Panorama (lexo këtu).

Por, kjo logjikë që në pamje të parë duket bindëse, dhe që mëton të tregojë se edhe sikur të humbi 4 mandate në raport me atë që ka sot, PS bën sërish qeverinë ka edhe një mënyrë tjetër interpretimi. Dhe ajo është thënë disa herë. Sikur PD gje LSI të kishin dalë bashkë në zgjedhjet më të këqia për to, ato të vitin 2017, Rama nuk do kishte pasur rastin të bëhej shumicë. I pari që e di këtë është vetë kryeministri i cili u detyrua të ndryshojë me urgjencë kushtetutën dhe të ndalojë koalicionet, vetëm e vetëm se ato e pengonin të fitonte

Së pari këtë e tregojnë shifrat më reale që kemi në dorë, ato të vitit 2017. Le ti shohim ato qark për qark.

Durrësi
Me kontributin e fortë të Vangjush Dakos që doli në përgjime për blerje votash me Avdylajt, PS arriti të marrë 73 mijë vota që i mundësuan 8 mandate nga 14 gjithsej. Ndërsa partitë që gjenden sot në opozitë prej faktit që nuk ishin në koalicion morën vetëm 6 mandate me 71 mijë vota. Rreth 6 mijë vota plus të LSI dhe PDIU shkuan dëm. Nëse do kishin qenë në koalicion rezultati i Durrësit do të kish qenë 7 me 7.

Fieri
Qarku i Fierit si hambari tradicional i PS i siguroi asaj një fitore të thellë 10 me 6. Por në këtë qark PDIU që garoi e vetme mori 6348 vota të cilat i shkuan dëm. Një koalicioni opozitar i duheshin jo më shumë se rreth 4 mijë vota për të prodhuar mandatin e pestë, që do i zbriste një mandat PS-së duke e çuar rezultatin final në 9-7.

Korça
Aktualisht PS është partia e parë në këtë qark me 6 deputetë. Por nëse do kishin qenë bashkë partitë e koalicionit të sotëm opozitar, kanë së toku afro 2 mijë vota më shumë. Pra të bashkuara ato do ta kishin përmbysur rezultatin në 5 me 6 në dëm të PS.

Tirana
Për shkak se u garua pa koalicione PS e fitoi kryeqytetin 18 me 16. Ajo mori 201 mijë vota ndërsa opozita rreth katër mijë më pak. Por nëse PDIU që mori 12 434 vota nuk arriti të nxirrte deputet do të kishte qenë në koalicion, rezultati mund të kishte shkuar në barazim 17 me 17.

Duke i shtuar këtyre qarqeve ku një koalicion i përbashkët opozitar në vitin 2017 do ti kishte hequr rilindjes nga një mandat edhe Elbasanin apo Dibrën ku ajo ishte sërish mprapa PS që katë vite më parë mund të kish përfunduar me 68 deputetë. Nëse gjatë qeverisjes së dytë, me skandalet e Saimir Tahirit e Fatmir Xhafajt, me tenderatanonimë si ato të unazës së re apo inceneratorëve, me shembjen e teatrit apo menaxhimin e pandemisë dhe tërmetit, qeveria Rama ka dalë me e fortë sesa një opozitë radikale që ska kërkuar ndjesë për të shkuarën e saj të para një dekade, kjo mbetet për tu parë. Por argumenti se socialistët nuk bien dot në asnjë mënyrë poshtë 70 mandateve, nuk ka mbështetje reale për tu besuar.

Këtë e dinte edhe vetë Rama që ndaloi koalicionet dhe kjo shpresohet të jetë dredhia e tij e fundit deri në 25 prill.