Lista Serbe ka vendosur të shtunën që pjesëtarët e saj të largohen nga institucionet e Kosovës. Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan. Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë. Njoftimi i saj ka ardhur pas vendimit të autoriteteve për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriç, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.

“Ne kemi vendosur të largohemi nga të gjitha institucionet politike, Kuvendi, Qeveria, dhe nga katër komunat në veri të Kosovës. Serbët do largohen edhe nga gjyqësori, policia si dhe stafi administrativ në katër komunat në veri”, ka thënë kryetari i Listës Serbe.

Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të të gjitha institucioneve të Kosovës nga rajoni i veriut. Këtu përfshirë punonjës të gjykatës, prokurorisë dhe policisë.
Komunat në veri, të banuara me shumicë serbe janë: Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani. Lista Serbe ka një post ministror në Qeverinë e Kosovës, të udhëhequr nga Albin Kurti. Në Kuvendin e Kosovës kjo parti, që ka mbështetje të madhe nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka të dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb./REL