Trajneri i Kombëtares shqiptare, Edoardo Reja ka shpallur listën e lojtarëve të përzgjedhur, me dy surpriza. 23 lojtarë janë thirrur nga tekniku italian për miqësoren e 26 tetorit me Arabinë Saudite. Takimi do të luhet në Abu Dhabi. Pjesa më e madhe e lojtarëve që do të grumbullohen vijnë nga kampionati shqiptar. E për shumicën është hera e parë që ftohen në përfaqësuesen kuqezi nga Reja. 9 prej tyre janë lojtarë që vijnë nga klube të huaja dhe shumica kanë qenë pjesë e rregullt e Kombëtares.

Portierët e thirrur pë miqësoren me Arabinë Saudite janë Elhan Kastrati, Gentian Selmani dhe Arlis Shala. Në mbrojtje vijnë lojtarë të spikatur të kampionatit Albion Marku, Erdenis Gurishta, Andi Hadroj, Hakaj, Rudolf Turkaj, Stivian Janku, Ardit Toli apo Enea Bitri. Nuk do të mungojë edhe Mario Mitaj, i cili aktivizohet me Lokomotivën e Moskës.

Lexo më tej: Zbulohet lista me 25 emra anti-Arabi: dhjetë lojtarë vijnë nga jashtë, të tjerët nga kampionati kombëtar

Në mesfushë Reja ka marrë Esat Mala, Sherif Kallaku, Lorenco Vila, Arbnor Muçolli, Ardit Deliu, Arinaldo Rrapaj. Rikthehet të vishet kuqezi Odise Roshi, ndërsa sulmi do të përbëhet nga Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Xhuljano Skuka dhe Redon Xhixha.

Përfaqësuesja do të nisë grumbullimin më datë 22 tetor në kompleksin Tropikal në Durrës. E më datë 24 tetor do të udhëtojë për në Abu Dabi ku do të vijojë përgatitjet për duelin miqësor. Ndeshja e parë në histori e Shqipërisë me Arabinë Saudite do të zhvillohet në “Al Nahyan Stadium” të Abu Dabit. Takimi do të nisë në orën 18:30 sipas orës lokale (16:30 sipas orës shqiptare).