Mbrojtja e Kadri Veselit në Gjykatën Speciale ka thënë se Policia e Kosovës ka ofruar masën e sigurisë për të liruar me kusht njërin nga ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në një përgjigje të mbrojtjes ndaj vendimit të Prokurorisë për mbajtjen e Veselit, të publikuar nga Specialja, thuhet se Policia e Kosovës ka dhënë përgjigje në kërkesën për ofrimin e sigurisë në rast të lirimit me kusht, më 27 tetor.

“Përgjigjet e Policisë janë të përpikta, profesionale dhe zbusin direkt të vetmin rrezik të mbetur të identifikuar nga arresti shtëpiak. Si rezultat, mbrojtja tani vlerëson se ndalimi i Veselit në Njësinë e Paraburgimit në Hagë duhet të marrë fund dhe se ai duhet të lirohet në arrest shtëpiak në Kosovë, për pjesën e mbetur të fazës paraprake të gjykimit”, thuhet në përgjigje.

Policia e Kosovës kohë më parë ka refuzuar të japë detaje për përgjigjen ndaj kërkesës së Speciales për ofrimin e sigurisë për ish-krerët e UÇK-së, në mënyrë që ata të lirohen me kusht.

Veseli akuzohet për krime lufte bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimi./ KOHA