Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, njoftuan sot nënshkrimin e kontratës për ndërtimin e hekurudhës së re Tiranë – Durrës.

Kreu i qeverisë Rama thotë se ky do të jetë një investim strategjik që pas dekadash të tëra boshllëku hap kapitullin e Rilindjes së Hekurudhës Shqiptare, me një aks prioritar që përkon edhe me vizionin e Metropolit Europian Tiranë-Durrës.

Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjisë Belind Balluku, përmes një deklarate për media bëri me dije se kompania italiane që u shpall fituese, INC spa do të përmbyllë punimet në verën e vitit 2023.

“Morën pjesë 22 kompani. Patëm një proces të gjatë të vlerësimit të ofertave, duke pasur tanimë një fitues, kompania e madhe italiane INC spa. Punimet do përmbyllen brenda një afati 30 mujor, ose në verën e vitit 2023. Ne do të ndjekim me përpikmëri gjithë ecurinë e projektit. Për të facilituar procesin dhe arsyeja e dytë dhe më e rëndësishme për të ofruar transparencë të plotë të procesit”, shprehet Balluku.

Ndërsa kreu i qeverisë shkruan në rrjetet sociale: “Lajm i mirë- Pas më shumë se 3 vjetësh projektim, procedura financimi dhe garë ndërkombëtare firmosim kontratën për ndërtimin e hekurudhës së re Tiranë – Durrës. Një investim strategjik që pas dekadash të tëra boshllëku hap kapitullin e Rilindjes së Hekurudhës Shqiptare, me një aks prioritar që përkon edhe me vizionin e Metropolit Europian Tiranë-Durrës. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, firmos kontratën për fillimin e punimeve”.