Këtë të hënë është mbledhur Komiteti Kombëtar Teknik-Këshillues i Imunizmit në Institutin e Shëndetit Publik, për masat paraprake për virusin e lisë së majmunit. Komiteti i Ekspertëve ka rekomanduar vaksinën e lisë për kontaktet e afërt dhe personelin shëndetësor, në rast të shfaqjes së rasteve me linë e majmunit.

“Komiteti i Ekspertëve të Vaksinimt ka marrë vendim, në trajtën e një rekomandimi, për të mundësuar që për sa i përket kontakteve të afërta të rasteve m, të cilat mund të diagnostikohen me linë e majmunit, të mundet të përdoret vaksina e lisë. Një vaksinë, e cila ka një efikasitet, sikurse edhe studimet tregojnë, rreth 85% për sa i përket mbrojtjes nga lia e majmunëve. Vlerësohet nga ekspertët tanë që do të jetë një sasi, e cila për këtë fazë do t’i dedikohet kontakteve shumë të afërta apo edhe personelit mjekësor, që mund të jenë në përballje këtë sëmundje”, tha Manastirliu.

Gjithashtu, Manastirliu tha po bëhen përgatitjet për diagnostikimin e lisë së majmunit në laboratorin e ISHP-së.

“Ne jemi duke u përgatitur me Institutin e Shëndetit Publik që, nëpërmjet metodës PCR, të mund të kemi edhe në Shqipëri pikërisht mostrat primer, të cilat mund të evidentojnë edhe në vendin tonë, në këtë laborator të ISHP-së, diagnostikimin e lisë së majmunit. Aktualisht ne jemi duke bashkëpunuar me laboratorët e referencës në Londër dhe në Hollandë, për të patur mundësinë që mostrat të cilat mund të jenë të dyshuara, të mundet të referohen menjëherë, ashtu sikurse bëjmë edhe me rastet e ndryshme të varianteve të Covid19”, bëri me dije Manastirliu.

Edhe pse Shqipëria është një vend me risk të ulët përsa i përket lisë së majmunit, Manastirliu theksoi se ka një survejancë të shtuar aktive.