Të gjithë personat që janë në rrezik të lartë për t’u infektuar nga lia e majmunëve duhet të izolohen për 21 ditë. Agjencia e Sigurisë Shëndetësore e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se një këshillë e tillë vlen për këdo që ka patur kontakt të drejtpërdrejtë apo familjar me dikë të infektuar. Personat këshillohen të japin të dhënat e tyre për gjurmimin e kontakteve, të shmangin udhëtimet dhe kontaktin me të sëmurët kronikë, gratë shtatëzëna dhe fëmijët nën 12 vjeç. Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar deri tani 20 raste. Ndërsa në Europë, SHBA, Kanada, Izrael dhe Australi janë shënuar 80 raste.

Lia e majmunëve është një infeksion viral, më i zakonshëm në pjesët e largëta të Afrikës Qendrore dhe Perëndimore. Sëmundja, e gjetur fillimisht te majmunët, nuk ka tendencë të përhapet lehtësisht midis njerëzve, por mund të transmetohet përmes kontaktit të ngushtë fizik, duke përfshirë marrëdhëniet seksuale.