grabitje-maska

Maskat janë shfaqur sërish në Lezhë, ndërsa pre e tyre ka rënë një biznesmen. Kanë qenë tre përsona të maskuar dhe të armatosur të cilët i kanë zënë pritë shtetasit Petrit Shtjefni, teksa po hynte në banesën e tij, ndërsa ky i fundit nga përleshja me agresorët ka mbetur i plagosur.

Ngjarja është shënuar rreth orës 23:00 të së dieles në fshatin Gryk Zezë të Lezhës, në afërsi të fabrikës së tullave e cila është në pronësi të përsonit në fjalë.

Ata kanë qëndruar të fshehur në hyrje të banesës. Sapo Petrit Shtjefni ka zbritur nga mjeti i tij fuoristradë ML me targa AA898GU, është gjendur përballë grabitësve të cilët nën kërcënimin e armës i kanë kërkuar t’u dorëzonte lekët dhe sendet me vlerë që kishte me vete.

Shtjefni rezistencë grabitësve, e qëllojnë me levë në kokë

Shtjefni ju ka bërë rezistencë tre agresorëve, por këta të fundit e kanë goditur me levë në kokë duke e plagosur, por fatmirëisht pa i shkaktuar dëmtime serioze për jetën.

Pasi e kanë goditur, tre grabitësit kanë vepruar, duke i marrë biznesmenit një sasi parash dhe sende të tjera me vlerë që ai kishte në automjet.

Krahas kësaj, tre agresoret i kanë marrë në automjet dhe pistoleten mod.54 me nr.13028817, të cilën e kishte me leje dhe janë larguar me shpejtësi në këmbë.

Familjarët e gjetën biznesmenin  në gjendje shoku, njoftuan policine

Kanë qenë familjarët e Shtjefnit të cilët kanë dëgjuar zhurmë dhe kanë dalë jashte, duke e gjetur 40-vjeçarin tek porta e banesës në gjendje shoku.

Ata e kanë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës për të marrë ndihmë mjeksore nga ku është bërë e ditur se ndodhet jashtë rreziku për jetën.

Në lidhje me ngjarjen janë njoftuar edhe uniformat blu të cilët kanë shkuar menjëherë në vendin ku ka ndodhur grabitja dhe janë vënë në ndjekje të autorëve të cilët mendohet se janë larguar në këmbë në një zonë të pyllëzuar afer vendit ku ka ndodhur ngjarja.

Policia kontrolle gjate nates, shoqerohen 5 persona qe kane dijeni per ngjarjen

Forca të shumta policie kanë ushtruar kontrolle gjatë gjithë natës, por ende nuk është rënë në gjurmët e autorëve të ngjarjes.

Blutë e Lezhës kanë bërë të ditur se gjatë mëngjesit të sotëm janë shoqëruar rreth 5 persona të cilet mund të kenë dijeni për ngjarjen dhe po merren në pyetje.

Biznesmeni Shtjefni thotë se nuk ka  konflikte me njeri

Gjithashtu është bërë e ditur se po hetohet edhe mundesia e përfshirjes në ndonjë konflikt të biznesmenit, por që kjo është mohuar nga ky i fundit i cili ka pohuar para grupit hetimor se nuk kishte patur probleme.

Petrit Shtjefni bashkë me dy vëllezërit e tjere janë pronar të një fabrike tullash në Lezhë dhe Fushë Krujë, të cilat janë më të mëdhatë në vendin tonë.