Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ishte në qytetin e Lushnjës ku është pritur nga qytetarë dhe simpatizantët e këtij qyteti. Gjatë ecjes, Basha ka takuar qytetarë dhe biznese të cilët nevojën e ndryshimit e arsyetojnë me gjendjen e keqe ekonomike dhe me keqqeverisjen e 8 viteve të fundit dhe i shprehën mbështetjen për ndryshim në zgjedhjet e 25 prillit. Duke shkuar drejt qendrës së qytetit, Basha i ka përshëndetur tregtarët para të cilëve tha:

 “Kudo  në Shqipëri e ndiej këtë padurim, sot e dëgjova nga zërat e  nënave lushnjare që takova në bulevard gjatë ecjes. Fjalët janë të thjeshta, burojnë nga zemra. Ato shprehin qartë se sa vendimtare janë zgjedhjet e  25 prillit për familjet, për fëmijët, për nënat dhe baballarët tanë. Zgjedhja e 25 prillit është fare e thjeshtë. 8 vite me radhë lushnjarët u varfëruan, çmimet janë rritur, vendet  e punës janë mbyllur, rinia ka emigruar dhe përgjegjësi për këtë dështim vjen dhe edhe kërkon edhe katër vite të tjera. Dështim në ekonomi, dështim në shëndetësi, dështim në arsim, dështim në gjithçka. Edhe kjo që po ndodh me aeroportin nuk është gjë tjetër veçse dështimi i radhës së një njeriu që ka vënë interesat e tij mbi interesat e çdo shqiptari.”