Kalimi i tij te PSG nuk dha rezultatet e pritura, as për ekipin dhe as për ambiciet e lojtarit, por nuk ka asnjë mundësi që Lionel Messi të mund të veshë sërish fanellën e Barcelonës. Për këtë është i sigurt Joan Laporta, numri një i klubit blaugrana, i cili mbylli dyert për rikthimin e djalit plangprishës. “Nuk kam marrë asnjë mesazh nga Leo apo stafi i tij në këtë drejtim. Për momentin nuk po mendojmë për rikthimin e tij. Ne po ndërtojmë një ekip të ri që po fillon të funksionojë. Leo është Leo, ai është lojtari më i mirë në botë, por ne nuk mendojmë për kthimin e tij. Nuk do të donim të bënim një hap prapa”, tha ai për RAC1.

“Barça është shtëpia e Leos. Do të doja që ai të ishte i pranishëm në inaugurimin e Camp Nout të ri. Marrëdhënia jonë është më pak e rrjedhshme, tani ai është në Paris. Nuk ishte e lehtë për mua, do të kisha preferuar që gjërat të shkonin ndryshe. Nuk mund të vija klubin në rrezik. Mendoj se bëmë atë që duhej të bënim. Nuk flas me të si më parë, njerëzit e afërt e duan Barcelonën dhe Barçën. Personalisht u ndjeva më keq në aspektin personal se sportiv”, shtoi ai.

Më pas, pa e përmendur emrin e tij, Laporta njoftoi ardhjen e Kessie nga Milani. “Ne kemi mbyllur dy nënshkrime. Mund të jetë një mbrojtës dhe një mesfushor (Andreas Christensen dhe Franck Kessie). Raphinha, nga ana tjetër, është një lojtar i madh. Deco (menaxheri i tij) ka punën e tij dhe na informon për detajet që të mos gabojmë. E në disa raste na ka ndihmuar shumë”.

Për goditjen e madhe për verën, Laporta mbetet i fshehtë: “Nënshkrimet e mëdha janë ato që bëhen me çmimin më të ulët të mundshëm. Lojtarë të talentuar që përshtaten në skuadër. Ne tashmë gjenerojmë lojtarë që kanë impakt global. Haaland dhe Mbappé? Kush është i qartë se dëshiron të luajë për Barcelonën. Kush dëshiron të vijë këtu. Për momentin asnjëri prej tyre nuk ma ka lënë të kuptohet. Ajo që më kanë sjellë janë kushte ekonomike që nuk do t’i pranojmë kurrë”.