Asnjë trajner, madje as më i suksesshmi, kurrë nuk fle vërtet i qetë, e aq më pak ai i Chelsea. Që kur Roman Abramovich bleu klubin londinez, teknikët në Stamford Bridge e kanë pasuar njëri-tjetrin me një farë shpejtësie e madje edhe ata që kanë sjellë trofe të rëndësishëm në klub janë viktimizuar nga ‘trajner-ngrënësi’ rus. Prandaj është e kuptueshme që Frankie Lampard, megjithë të kaluarën e lavdishme në fushë me fanellën e Blues, është mjaft nervoz për vendin e tij të punës. Ndeshja kundër Leicester të Rodgers (për më tepër një nga zëvendësuesit e tij të mundshëm) supozohej të përfaqësonte një rifillim për Chelsea, por ndërkohë londinezët humbën 2-0 dhe po rrëshqasin gjithnjë e më poshtë në renditjen e Premier League.

E Lampard e ka shfaqur nervozizmin në konferencën për shtyp. Trajneri e kishte pak me të gjithë, veçanërisht për ata që flisnin për shkarkimin e tij. Sipas asaj që bën të ditur Mundo Deportivo, ish-mesfushori e kishte në veçanti me një gazetar me të cilin pati një përplasje pa shumë mirësjellje. E të mendosh që Liam Twomey, korrespodent i The Athletic, nuk pyeti aspak për të ardhmen e trajnerit, por ishte kufizuar në një pyetje në lidhje me praninë e Cech në staf, thelbësore për të rimarrë vetëbesimin e grupit në një situatë të ngjashme. Por Lampard padyshim që donte… të debatonte. “Liam, të them të drejtën, besimi i grupit do të ulej plotësisht nëse ata lexojnë disa nga pjesët që ti shkruan për momentin.”

Jo saktësisht përgjigja që gazetari priste dhe Lampard vazhdoi në të njëjtën linjë. “I lexoj dhe duket qartë se gjykimi yt është i devijuar dhe reflektohet edhe në ndeshje të tjera. Duket pothuajse si një koment i mediave sociale, që përpiqet të sjellë reagimin, por nga një këndvështrim negativ. Unë gjithashtu i lexova edhe shkrimet në kohën kur ishim duke bërë mirë dhe nuk pashë të njëjtin trajtim. Kështu që për një gazetar do të ishte mirë të fillonte të ishte objektiv, sepse lojtarët i lexojnë ato që shkruan “. Pasi tha atë që kishte përbrenda, Lampard iu përgjigj pyetjes në lidhje me Cech: “Përvoja e tij është thelbësore. Ne tashmë kemi pasur momente të tilla, e dimë se çfarë duhet për të ndryshuar faqen dhe po punojmë për të”.