Lideri historik i PD-së, Sali Berisha e ka cilësuar sërish herë Enkelejd Alibeajn si “nul” duke iu referuar dhe detyrës së tij si kryetar i Grupit Parlamentar të PD-së. Berisha tha se Alibeaj është i shkarkuar nga posti, ndërsa për emrin e ri të kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, sipas Sali Berishës do të ndiqen procedurat nga një grup ekspertësh. Sa i takon deputetëve të tjerë ai tha se nuk do të ketë penalitete.

 

“Nuk ka një përjashtim por realitetet janë realitete. Nëse u bë një vështrim retro u bë si një apel për tu bashkuar sa më shpejt. Ai është anëtar i grupit parlamentar dhe anëtar i PD. Ky Kuvend ishte i hapur, është në tagrin dhe të drejtën e tyre të bëjnë zgjidhjen e tyre. Këtë tren s’ka forcë që ndalon. Treni ecën drejt fitores. Grupi i ekspertëve do të përcaktojë procedurën e emërimit të kryetarit të grupit parlamentar që duhet të jetë një prej nënkryetarëve të partisë. Varet kush do të votohet për nënkryetar partie. Alibeaj është i shkarkuar”, tha Berisha.