mandatet_0

Kuvendi vendos sot me votë të hapur, në një seancë të mbyllur, nëse do të autorizojë arrestimin e deputetëve Tom Doshi e Mark Frroku sipas kërkesës së Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Në seancë, para votimit, lexohen relacionet e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit. Mazhoranca dhe opozita do të kenë dy raporte të ndryshëm. Për opozitën, nevojitet që prokuroria t’i vërë në dispozicion kuvendit edhe regjistrimin audio që Tom Doshi thotë se është bërë me vendim të gjykatës në bisedën që ai ka zhvilluar me Durim Bamin në burg. Sipas tij, në këtë bisedë Bami i thotë se e ka ndryshuar versionin e ngjarjes për shkak se një efektiv i forcave RENEA, i maskuar, e ka kërcënuar në paraburgim me familjen dhe fëmijët. Pas votimit në kuvend të kërkesës së prokurorisë, do të jetë Gjykata e Lartë ajo që do të vendosë për arrestimin ose jo të dy deputetëve. Po kështu, kjo gjykatë do të shprehet edhe pro ose kundër kontrolli të banesave të tyre, siç ka kërkuar prokuroria. Prokuroria pritet ta dërgojë menjëherë pas votimit në parlament kërkesën në Gjykatën e Lartë dhe po sot pritet që gjykata të shprehet me vendim. Frroku do të jetë prezent gjatë votimit, ndërsa Doshi bëri të ditur që mbrëmë se ai do të mungojë.