Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar sot një rezolutë që shpreh kundërshtimin që në Kosovë të mbahen votime për një referendum të shtetit të Serbisë për ndryshime kushtetuese.

77 deputë ishin të pranishëm në sallë gjatë votimit të kësaj rezolute në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga kryeministri, Albin Kurti.

Për këtë rezolutë, nga deputetët nuk pati vota kundër, veçse një abstenim.

Rezoluta u propozua nga katër grupet parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Grupit Multientik.

Qeveria e Kosovës ka kundërshtuar mbajtjen e referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës duke e quajtur shkelje të rendit kushtetues të Kosovës.

Kundërshtime lidhur me këtë qëndrim pati nga shtetet e QUINT-it.

Në hapje të seancës së Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti tha se nuk është kundër të drejtës së votës së qytetarëve serbë kosovarë me dy shtetësi duke thënë se votimi mund të bëhet në Zyrën Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë.