Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot orën 14:00 në një seancë të jashtëzakonshme, për të diskutuar në lidhje me synimet e Serbisë për të mbajtur referendum kushtetues në territorin e Kosovës. Diskutimi ka për qëllim të nxjerrë një rezolutë të përbashkët, në të cilën shprehet vullneti politik i deputetëve dhe grupeve parlamentare dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës, mbi këtë çështje.

Presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, si dhe kryeministri Albin Kurti dolën me deklaratë të përbashkët pas takimit me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e BE-së, duke theksuar edhe një herë kundërshtimin e tyre për mbajtjen e referendumit serb në Kosovë.

Në deklaratë thuhet se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Kosovës përbën shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, si dhe praktikave ndërkombëtare. Për më tepër, një akt i tillë është shkelje e integritetit territorial nga ana e Serbisë në raport me shtetin e pavarur e sovran të Kosovës.