Partia Demokratike do të zhvillojë primaret për të nxjerrë kandidatin që do të përballet me Erion Veliajn në zgjedhjet e ardhshme lokale. Ndonëse zyrtarisht dy palët në PD janë ende në negociata për të dalë me një kandidat të përbashkët, grupimi i Berishës duket i vendosur për të vijuar me procesin e parashikuar në Statut për zgjedhjen e kandidatit përmes primareve.

Për primaret, Sali Berisha ka premtuar se do të votojnë anëtarët dhe simpatizantët e kësaj force politike.

Burime nga selia blu i thanë gazetarit Osman Stafa se do të jenë të paktën pesë kandidatët që do ti nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë për të nxjerrë edhe më të votuarin për zgjedhjet e 14 majit.

Kandidati i parë që ka dalë tashmë edhe publikisht përmes intervistave televizive është anëtari i Këshillit Kombëtar, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti. I pyetur nëse do të jetë kandidat, ai nuk e përjashtoi. “Nuk mund të konfirmoj diçka për të cilën ende nuk është hapur zyrtarisht aplikimi”, tha Alimehmeti.

Një tjetër emër i përfolur është edhe Belind Këlliçi, deputeti dhe ish kryetari i forumit Rinor të PD-së. Ai ishte ndër të parët që u rreshtua në krah të Berishës një vit më parë. Koha kur ky i fundit u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së. I pyetur nga News 24 nëse e konfirmon kandidimin ai tha se “nuk mund të ta jap këtë konfirmim aktualisht pasi jam në konsulta dhe biseda me të gjithë faktorët në parti”. 

Këlliçi nuk është lakuar shumë në media dhe ende nuk është artikuluar si Alimehmeti. Megjithatë ai është duke punuar ngushtësisht me strukturat e PD-së. Ndërkohë që Veliajn, ai e ka akuzuar për aferën e inceneratorëve.

Ndërkohë që deputeti Agron Shehaj, ndonëse është lakuar në qarqet mediatike si kandidat, konfirmoi për News 24 se nuk do të jetë pjesë e primareve.

 

Një tjetër emër i përfolur, që edhe vetë nuk e ka fshehur ambicien për të kandidatuar nga Partia Demokratike në 14 maj në Tiranë, është ish deputeti Gerti Bogdani. Ky i fundit është tërhequr disi publikisht nga jeta partiake. Por, prej kohësh Bogdani ka vënë theksin në rrjetet sociale të problematikave të ndryshme në Tiranë. Problematika si rrugët me gropa, ajri i ndotur apo edhe mungesa e pastrimit të qytetit. Bogdani, ndonëse e lexoi mesazhin, nuk iu përgjigj interesimit nëse do të jetë kandidat.

Përveç të sipërpërmendurve, Balkanweb ka mësuar se janë edhe dy emra të tjerë që e kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e primareve. Ish deputeti Fatbardh Kadilli dhe aktori Julian Deda shpresojnë se do të zgjidhen nga anëtarësia. Kadilli dhe Deda nuk u përgjigjën nëse do të jenë kandidatë.