Kosova po negocion me Bashkimin Europian për një zgjidhje për çështjen e targave. Këtë e konfirmoi vetë kryeministri Albin Kurti, gjatë një vizite zyrtare në Estoni. Në konferencë me homologen Kaja Kallas, kreu i qeverisë së Prishtinës nënvizoi se gjatë ditëve në vijim do të mësohet dhe ecuria e këtyre bisedimeve me Beogradin. Ato po ndërmjetësohen nga Brukseli, me qëllimin kryesor: zbutjen e tensioneve në Veri të Kosovës.

“Jemi në komunikime të rregulla dhe intensive me Brukselin për ta zgjidhur këtë çështje. Janë 9 mijë vetura me targa ilegale, pra është një pakicë ekstreme brenda shumicës serbe që po i refuzojnë këto targa. Jemi duke bërë çmos për ta ruajtur ligjin dhe kushtetutën nga njëra anë dhe paqen e sigurinë nga ana tjetër. Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft penguese dhe destruktive. Do ta shohim sa të suksesshëm do të jemi në këto negociata të reja”, tha Kurti.

Ai më tej foli dhe për nevojën e përmbylljes së dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke. Kurti u tha gazetarëve se Beogradi po urdhëron serbët të braktisin institucionet e Kosovës.
Deklarata e kryeministrit vjen pas thirrjeve të vazhdueshme nga BE-ja për nevojën e shmangies së përshkallëzimit të tensioneve në Veri me arritjen e një ujdie të re për targat, përpara datës 21 nëntor. Sipas planit aktual me tri faza të qeverisë së Kosovës për ndërrimin e targave të vjetra serbe në “RKS”, qytetarët do të gjobiten duke nisur nga e hëna, ndërsa më 21 janar do të nisë aplikimi i targave provizore, ndërsa pas datës 21 prill parashikohet se nuk do të ketë më në qarkullim automjete me targa ilegale.