Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media pas takimit që ka pasur me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Prishtinës zyrtare se përkrahin iniciativën e Procesit të Berlinit dhe se ajo është mundësia më e mirë për bashkëpunimin rajonal, raporton Express.

Ky mesazh i Kurtit vjen pas kundërshtimit të vazhdueshëm të Kosovës ndaj iniciativës “Open Balkan” të nisur nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Se do të flitej për nismën e Procesit të Berlinit e kishte paralajmëruar edhe vetë Scholz para nisjes për në Prishtinë, duke thënë se një nga arsyet e vizitës është edhe mbështetja për Procesin e Berlinit.