Ciro Ferrara dhe Beppe Bruscolotti, ish futbollistët e titullit të parë kampion të Napolit, i janë përgjigjur Antonio Cassanos. Ata nuk humbën kohë për të replikuar. E bënë në mënyrë të mprehtë, ndaj komenteve të barezit për sukesin e Diego Maradonës në Napoli: “Ai fitoi me disa të ikur nga shtëpia përkrah”. Ferrara, protagonist i të dy titujve napolitan, është përgjigjur përmes profilit të tij në Instagram: “Ti flet për gjëra që nuk i di mirë. Ndërsa ne fitonim titullin e parë në historinë e Napolit, ti ishe me biberon. Hesht, se është më mirë. Maradona nuk do të kishte dashur kurrë një ‘fenomen’ si ty në dhomën e tij të zhveshjes”. Ciro e firmosi frazën e tij me “nu scappat ‘e casa”.

Reagim i ngjashëm edhe për Beppe Bruscolottin, një tjetër nga protagonistët e mëdhenj të atij Napoli: “Nuk do t’i jepja gjithë këtë rëndësi Antonio Cassanos. Gjithmonë duhet të shohësh se kush i thotë disa gjëra dhe të gjithë e njohim atë. Nëse ne jemi të ikur nga shtëpia – ka komentuar në Radio Kiss Kiss -, ai i ka shpëtuar çmendinës. Cassano flet vetë dhe pastaj nuk e di nëse e thotë sepse e mendon vërtet apo thjesht për të marrë shikueshmëri”.

CASSANO INSISTON: “KUSH THOTË TË KUNDËRTËN ËSHTË DASHAKEQ”
Antonio Cassano nuk humbi kohë duke shtuar dozat në Bobo TV: “Nëse duan e them në një mënyrë tjetër, por koncepti është i njëjtë. Maradona ishte një mrekulli e natyrës dhe ai fitoi me njerëz të pavlerë përreth tij. Sepse ishte një jashtëtokësor që bënte gjëra të pabesueshme. Në kampionatin e parë fitoi i vetëm. Më pas në sezonin e titullit të dytë kishte njerëz të fortë si Careca dhe Alemao”.

Ish-sulmuesi i Roma dhe Inter injoroi përgjigjet e protagonistëve të atij Napoli: “Nuk e di nëse Ferrara ishte aty në të dy sezonet, por ai ishte ende shumë i ri. Por e përsëris, Maradona kampionatin e parë që e fitoi me njerëz të pavlerë. Pika dhe nuk mund të themi të kundërtën sepse ishin të pavlerë. Kushdo që thotë diçka tjetër është dashakeq sepse na ka zili”.