Pas goditjes së pretenduar nga Allegri, që ndezi finalen e Kupës së Italisë mes Juventus e Inter, një tjetër “goditje” është vënë në qendër të vëmendjes në rrjetet sociale, mes tifozëve të Romës, në orët e fundit. Bëhet fjalë për një goditje ndaj Mourinhos. Portugezi në fakt ka postuar një video në profilin e tij në Instagram, teksa është duke bërë fizioterapi të shoqëruar me shprehjen “Nëse më shihni të çalë apo me paterica, dijeni që një lojtar që i nis emri me K më ka goditur me shkelm. Është Karsdorp apo Kumbulla? “.

 

Misteri u zgjidh menjëherë më pas, nga vetë trajneri verdhekuq sërish në Instagram. “Pasi Karsdorp u bë viktimë e ofendimeve në rrjetet sociale, më duhet të postoj foton dhe të them se fajtori është Kumbulla”, ka shkruar Special One, duke publikuar foton e “aksidentit” të vogël në fushë.