Dinamo shpresonte të përfitonte nga momenti delikat i Kukësit, por pas katër ndeshjesh, veri lindorët arritën të marrin suksesin e parë duke mposhtur me rezultatin 0-2 Dinamon në Kamëz, për javën e 25 të Superiores. Shkon gjithnjë e më keq për Devollin, që rrezikon ta shohë veten në zonën e rënies, nëse Kastrioti fiton ndeshjen e tij.

Kukësi shfrytëzoi në maksimum mundësitë që iu dhanë, edhe pse për të zhbllokuar një ndeshje të ekuilibruar, ishte i nevojshëm autogoli i Indrit Prodanit, në minutën e 17′, kur devijoi topin e grushtuar nga Simoni në goditjen e Milunoviç. Një goditje me efekt të dyfishtë, blutë që ndjenë goditjen e të besuarit e Longos që kërkuan të mbyllnin sa më shpejt takimin. Dinamo tentoi të barazonte, por Tafas ishte gjithnjë i kujdesshëm dhe në pushim u shkua me rezultatin 1-0.

Kjo do të ndryshonte shpejt, gjithnjë në anën e Kukësit, që dyfishoi rezultatin në minutën e 55′, kur Milunoviç ishte i saktë në goditjen me kokë për të mposhtur portierin Simoni. Devollit nuk i bën punë as Reginaldo, në fushë për Ibraimin, ndërsa në të 68′ rezultati mund të ishte bërë më i rëndë, por goli i tretë i Feizaos u anullua për pozicion jashtë loje. Me këtë sukses, Kukësi rimerr i vetëm vendin e tretë në kuotën e 42 pikëve, duke iu shkëputur Vllaznisë së vendit të katërt me +3 pikë, ndërsa Dinamo me 23 është e teta me një pikë më shumë se krutanët, që duhet ende të luajnë.