Një humbje në derbi nuk është nga ato që kapërcehen lehtë, edhe kur ekipi kundërshtar nuk është Partizani, por Dinamo. Presidenti i bardhebluve, Refik Halili, ka mbetur i zhgënjyer nga humbja e parë sezonale e skuadrës së tij, që për më tepër erdhi në ndërqytetase e që rrezikon ti përsërisë daljen e shpejtë nga Kupa e Shqipërisë 25 herë kampionëve, ashtu si sezonin e kaluar përballë Korabit.

‘’Të them të drejtën e kishin marrë shumë lehtë, mendoj se duhet të bënim si në ndeshjet e tjera, Duhet të zëmë mësim, siç kam thënë kampionati është i gjatë dhe duhet pasur kujdes. Kam parë skuadrën që nga kapiteni e me radhë që e kishin mare shumë lehtë, kujtuan se me Dinamon do luajnë me një skuadër të Kategorisë së Tretë, por skuadrat janë një nivel. Mendoj se në ndeshjen e ardhshme do reagojmë dhe dy ndeshjet e tjera do i fitojmë si në kampionat dhe Kupë. E njoh shumë mirë skuadrën dhe e di çfarë duan’’, u shpreh Refik Halili.

Në fakt, kjo humbje e nëntorit kujton eleminimin në raundin e dytë nga Korabi, që atëherë i kushtoi pankinën Emanuel Egbo. Tani, situata përsëritet sepse 2-0 nuk është një rezultat që mund të përmbyset lehtë, sidomos në një derbi, por që Shehi do të tentojë ti luajë të gjitha kartat në kthim.