Kryeministri Edi Rama priti sot në një vizitë zyrtare kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel.

“Më kujtohet para shumë vitesh kur isha në universitetin e Selanikut, dhe aty e jetova këtë rajon. Mund ti jetojmë gjërat nga librat por ta jetosh situatën është ndryshe. Rruga që keni bërë që në ato vite është për tu admiruar. Unë u vonova pak për të ardhur në Tiranë por shpresoj që ju të vini shumë shpejt në Luksemburg. Janë disa itinerare kulturore që po bashkëpunojmë bashkë por do të shohim si mund të ketë mundësi për studentët dhe univeristetet mes Shqipërisë dhe Luksemburgut. Edhe turizmi është një pikë kyçe ku mund të bashkëpunojmë. Europa është një projekt paqeje, sot përgjigja e çdo gjëje janë takimet e shkëmbimet mes njëri-tjetrin. Kur detyrat janë bërë duhet të njohësh dhe të thuash po, duhet të bëjmë përpara. Disa vende ishin të ngadalta, por për mua është e rëndësishme që të ecet përpara. Me kryeministrin Rama biseduam për mënyrat se si Shqipëria mund të ecë më përpara. Nuk mund ti lejojmë vetes tensione e konflikte shtesë, duhet të ecim përpara.”, tha kryeministri i Luksemburgut.

Rama u shpreh falënderues për mbështetjen që Luksemburgu i ka dhënë Shqipërisë, ndërsa tha se kryeministri i Luksemburgut ka qenë avokat i Shqipërisë edhe kur përfaqësuesit e vendit tonë nuk kanë qenë prezent.