Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu tha se Qeveria ka miratuar krijimin e Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë së Shërbimeve të Kujdesit Shoqëror dhe Shëndetësor, e cila do të nisë punën në janar të vitit 2022.

“Është një institucion i ri që shkrin dhe bashkërendon shërbimet e dy institucioneve, do të arrijmë që të akreditojmë të gjithë institucionet e kujdesit shëndetësor dhe shoqëror publik dhe jopublik për të rritur cilësinë e shërbimeve. Agjencia e re e cila do të fillojë funksionimin e saj në janar 2022, do të certifikojë profesionistët e shëndetësisë”, tha ministrja.

Ajo vuri në dukje se përmes kësaj agjencie do të bëhet e mundur që qytetarët shqiptarë të marrin shërbime cilësore në të gjitha strukturat e kujdesit shëndetësor dhe atij social.

E pyetur për situatën në Krujë ministrja tha se është nën kontroll dhe se është në pritje të analizave pas helmimit nga uji.

Nga raportimet që më kanë ardhur nga ISHP dhe OKV janë ende në pritje të përgjigjeve të analizave përsa i përket analizave që janë marrë në funksion të pistave të ndryshme të hetimit. Dua të theksoj se tashmë në spitalin e Krujës gjendja është e kontrolluar.