Kreu i SPAK, Arbren Kraja tha se po hetohen cështje të rëndësishme sa i takon krimit të organizuar, pastrimit të parave apo korrupsionit në disa nivele. I pranishëm në prezantimin e projektit EU4LEA, Kraja ka premtuar më shumë rezultate nga institucioni që ai drejton.

Kreu i Strukturës së Posaçme theksoi se situata e kriminalitetit në vend kërkon reagim të fuqishëm. Ai kërkoi ndihmën e BE dhe mbështetje për të arritur sa më shpejt në rezultate konkrete.

Kraja tha se SPAK është konsoliduar tashmë, ndërsa shtoi se të gjithë janë aktivë në zbatimin e ligjit.

Deklarata e  Krajës

Sapo janë hapur negociatat institucionet janë përfshirë ne procesin e screening secila ku secili ka përgjegjësitë e veta. Institucionet e zbatimit të ligjit kanë një rol të rëndësishëm. Duke përfshirë edhe situatën e kriminalitetit në Shqipëri, projekti është në kohën e duhur për të realizuar këto objektiva. Kemi hetime të rëndësishme në vijin në aspektin e krimit të organizuar, pastrimit të parave, korrupsionit, dhe është momenti të ecim përpara. Kemi 20 skuadra të përbashkëta hetimore .

Në këtë aspekt unë mendoj se projekti do të jetë ndihmë për ne. Garantoj se jemi serioz në punën që bëjmë, do hetojmë në mënyrë të paanshme të gjithë cështjet që kemi për të dalë në rezultate. SPAK është një nga elementët përfitues të projektit. Jemi në fazën që struktura ka nevojë të jetë më efektive. Garantoj drejtuesit e projektit se do jemi bashkëpunues në arritjen e objektivave që ka projekti. Do jemi partner seriozë kemi nevojë të na asistoni. Do ecim përpara dhe do kemi më shumë rezultate.