Këtë të hënë, 7 marsi, vijon ende numërimi i votave të zgjedhjeve të pjesshme lokale të mbajtuara në 6 bashki ditën e djeshme. Duke qenë se Partia Socialiste ka marrë dy fitore: në Vorë me kandidatin Blerim Shera dhe në Rrogozhinë me Edison Memollën; numërimi vijon në 4 bashki: Lushnje, Dibër, Durrës e Shkodër. PS udhëheq në tre nga katër bashkitë e mbetura, përveçse në Shkodër ku duket se po shkon drejt fitores kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ Bardh Spahia.

Shkodra duket se ka zgjedhur t’i besojë sërish të djathtëve. Kur janë numëruar më shumë se 60% e kutive, kryesinë e ka Spahia me 43%, i ndjekur nga kandidatja socialiste Majlinda Angoni me 39.7%. Ndërsa kandidati i Partisë Demokratike Xhemal Bushati ka 16.6%.

Në Lushnje, socialistët duket se do rikonfirmohen në krye të bashkisë. Teksa numërimit të votave po u vjen fundi, kandidatja e PS-së Eriselda Sefa ka 57.9 përqind të votive. Dy kandidatët e tjerë ndjekin me rezultatin: Elton Bano i ‘Shtëpisë së Lirisë’ 32.4% dhe Indrit Sefa i PD 11.26%.

Në Dibër vijon procesi i numërimit dhe ka dalë rezultati i 61 kutive nga 101 gjithsej. Edhe këtu kandidati i Partisë Socialiste kryeson me më shumë se 62% ose 9,868 vota. I dyti renditet kandidati i ‘Shtëpisë së Lirisë’ me 19.4% ose 3,006 vota.

Në bashkinë Durrës janë numëruar 164 kuti  nga 337 qendra votimi gjithsej. Emirjana Sako e Partisë Socialiste kryeson bindshëm me 58% ose 18.822 vota. Ardian Muka i ‘Shtëpisë së Lirisë’ renditet i dytë me 9171 vota ose 28% të votave. Ndërsa i treti kandidati i Lulzim Bashës, Luan Hoti me vetëm 4.496 vota ose rreth 14%.

Vihet re se në këto zgjedhje kandidatët e ‘Shtëpisë së Lirisë’ të ish-kryeministrit Berisha kanë siguruar ndjeshëm më shumë vota se përfaqësuesit e kryetarit të PD-së Lulzim Basha.