Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka njoftuar se të martën janë regjistruar edhe katër viktima nga koronavirusi i ri, që e shkakton sëmundjen COVID-19. Viktimat janë nga Dragashi, Gjilani, Mitrovica dhe Suhareka.

Sipas njoftimit ditor për situatën epidemiologjike, janë testuar edhe 1.751 mostra, prej të cilave janë konfirmuar 279 raste pozitive.

Sëmundjen e kanë përballuar edhe 431 pacientë ndërsa raste aktive janë 5.795.

Prej 13 marsit 2020, kur janë regjistruar rastet e para me koronavirus në Kosovë, autoritetet shëndetësore kanë raportuar për 54.261 të prekur nga sëmundja COVID-19. Prej tyre 1.387 pacientë kanë vdekur ndërsa 47.079 janë shëruar.