Në Kosovë të mërkurën kanë hyrë në fuqi masat e reja të kufizimit të vendosura nga autoritetet për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri. Këto masa, për dy javët e ardhshme ndalojnë qarkullimin e qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, përveç në raste urgjente.

Shërbimet e gastronomisë obligohen të pezullojnë aktivitetin e tyre nga data 7 prill deri me datë 18 prill. Ato lejohen të punojnë vetëm me shërbimet “merr me vete”, “dërgesë me porosi” apo marrjes së porosive pa u larguar nga makinat.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, ndalohet veprimtaria e qendrave të mbyllura tregtare, përveç shërbimeve esenciale në kuadër të tyre, siç janë dyqanet ushqimore dhe farmacitë, nga data 7 prill deri më datë 18 prill.

Në qendrat e hapura tregtare lejohet aktiviteti duke i respektuar masat dhe rekomandimet për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID – 19.

Sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës, të gjitha institucionet publike dhe private të arsimit parauniversitar (nga data 12 prill deri me 18 prill), dhe të gjitha institucionet publike dhe private universitare nga data (7 prill deri me datë 18 prill) obligohen që të organizojnë online të gjitha aktivitetet mësimore.

Me masat e reja ndalohen të gjitha grumbullimet me rrezikshmëri të lartë të shpërndarjes së infeksionit, me më shumë se 10 persona, (mbledhjet, seminaret, trajnimet, dasma, ahengje familjare, homazhe, e të ngjashme).
Masat e reja janë kundërshtuar nga përfaqësues të bizneseve dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës.

Kryetarët e komunave kanë vlerësuar se duhet të respektohen masat aktuale me rigorozitet, të rritet numri i aktiviteteve inspektuese, të rritet angazhimi dhe përkushtimi i policisë.

Ndërkaq, Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që asnjë kufizim apo mbyllje totale e bizneseve të mos bëhet pa përkrahje paraprake financiare.

Përfaqësues të Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, janë shprehur të shqetësuar me faktin se masat për mbyllje janë ndërmarrë pa pasur një plan konkret për ndihmë financiare.

Në arsyetimin e Qeverisë së Kosovës për masat e reja thuhet se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka testuar me 147 mostra pozitive me koronavirus, për detektimin të variantit britanik të koronavirusit, shkruan Rel.

Të martën, më 6 prill, Kosova regjistroi tetë viktima dhe 489 raste të reja. Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë arrin në 94.656, i viktimave në 1.934 dhe i të shëruarve në 78.702.