Në kuadër të fushatës së vaksinimit anti Covid, këtë të martë në Kosovë kanë mbërritur 3510 vaksina Pfizer.

Ministria e Shëndetësisë në një prononcim për mediat ka bërë me dije se ky kontingjent është pjesë e asistencës së Bashkimit Evropian për Kosovën në sigurim të vaksinave.

“Divizioni i Komunikimit me Publikun ju konfirmon se Ministria e Shëndetësisë ka pranuar mbrëmë kontigjentin e radhës prej 3510 vaksinave të Pfizer, pjesë e asistencës së BE-së për Kosovën në sigurimin e vaksinave kundër COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Ndërkohë një ditë më parë ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se deri të hënën vaksinën anti COVID e kanë marrë 46.097 qytetarë.

MSH përmes një njoftimi për media thotë se me punën e çmuar të ekipeve të vaksinimit, të dielën janë kryer 4229 vaksinime, ku totali shkon në 46.097 qytetarë të Republikës së Kosovës të moshës mbi 65 vjeçare.