Një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) thotë se masat e reja të izolimit në vendet evropiane nuk janë të nevojshme.

Këto vende po shënojnë rritje të numrit të të infektuarve me koronavirusin e ri, kryesisht për shkak se njerëzit po kthehen nga udhëtimet e pushimeve.

“Ne mund ta menaxhojmë virusin dhe ta mbajmë ekonominë të funksionojë”, tha Hans Kluge, kreu i degës evropiane të OBSH-së.

Italia, Franca, Spanja dhe Gjermania janë ndër vendet ku është shënuar rritje numrit të rasteve me koronavirus.

Italia regjistroi 845 raste të reja më 20 gusht, numri më i lartë i rasteve ditore që nga muaji maj. Franca raportoi 4.700 raste, ndërsa Gjermania raportoi 1,707 raste, numri më i lartë që nga muaji prill.

Sidoqoftë, numri i rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara është akoma shumë më i lartë se në Evropë.

Autoritetet raportuan për 46.000 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të të infektuarve në 5,575,323, shkruan rel.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins me seli në SHBA, në gjithë botën numri i të infektuarve ka arritur në mbi 22 milionë.