Koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler, kritikoi ashpër qeverinë në Tiranë për përgojimin që ku i fundit i ka bërë qëndrimin e tij jomiqësor ndaj Bashkimit Europian. Duke iu referuar Turqisë, Gahler i ka nënvizuar Ramës se duhet të ketë kujdes me pazaret joeuropiane dhe me shtete jomiqësore ndaj Europës.

Kushtet e papërmbushura nga Shqipëria për nisjen e negociatave po ashtu janë vënë në dukje nga koordinatori për Politikën e Jashtme dhe Zgjerimin në Parlamentin Europian, Michael Gahler i cili ka apeluar qeverinë që t’i plotësojë e jo t’i mohojë ato.

“Qeveria në Tiranë nuk duhet të provokojë miqtë e Shqipërisë europiane, qoftë duke mohuar këto kushte apo duke përgojuar BE për ndihmën e saj ose duke bërë marrëveshje me palë të treta në shkelje të ligjit europian…Konkluzionet e Këshillit Europian janë të ditura, rekomandimet e Komisionit të Venecias janë të ditura, teksti dhe fryma e marrëveshjes së 5 qershorit është e ditur! Kjo e fundit është shkelur, ndërkohë që nuk ka progress në shumë kushte

  • -Ligji për median nuk është përmirësuar;
  • -zyrtarë të përfshirë në manipulimin e votave i kanë shpëtuar ndjekjes penale;
  • -gjithashtu  zyrtarë të lartë të qeverisë e ish magjistratë të gjyqesorit të përfshirë në korrupsion i kanë shpëtuar ndjekjes penale;
  • -pastrimi i parave mbetet një shqetësim i paadresuar, nisur edhe nga skandali i fundit;
  • -kushtetueshmëria e zgjedhjeve lokale të 2019 ende nuk është sqaruar;
  • -ngritja e institucioneve të reja të gjyqësorit është e ngadaltë”, thuhet në deklaratën e Gahler.