Policia rrugore në 3 ditët e fundit ka konstatuar një mori drejtuesish mjetesh që kanë tejkaluar shpejtësinë më shumë se limiti i lejuar. Po ashtu janë vënë re edhe drejtues mjetesh që kanë drejtuar mjetet nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Kjo ka bërë që policia të prangosë 34 shoferë, si dhe të pezullojë 209 leje drejtimi, si dhe ka ndëshkuar me gjobë 7101 drejtues mjetesh.

“Janë arrestuar në flagrancë 34 drejtues mjetesh dhe motomjetesh, nga të cilët 19 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 15 për drejtim mjeti në gjendje të dehur. Janë pezulluar 209 leje drejtimi, nga të cilat 136 për shpejtësi mbi normat e lejuara, 65 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 8 për qarkullim në sens të kundërt. Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 7101 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës dhe për parkime të gabuara.” – njofton policia.

Policia e Shtetit apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve, vendas dhe të huaj, që të zbatojnë me rigorozitet sinjalistikën rrugore, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparatë fotografik.