Sali Berisha deklaroi sot se dokumente të reja kanë dalë në dritë në lidhje me aferën e inceneratorëve ku implikohen edhe institucione të tjera.

Nga konferenca për mediat nga selia blu, Berisha u shpreh se gjatë kësaj kohe ka pasur telefonata mes kryeministrit Rama dhe ish-deputetit socialist të arrestuar Alqi Bllako, në lidhje çështjen e inceneratorëve.

Pa dhënë shumë detaje, ish-kryeministri deklaroi se Rama ka në plan që t’i shpëtojë kësaj afere duke u zgjedhur vetë president, por kjo sipas tij nuk do të ndodhë.

“Në lidhje me aferën nuk ka të ndalur nxjerrja e dokumenteve. Nuk mund të imagjinohet se çfarë ka ndodhur në këtë aferë. Janë institucione të tjera të implikuara deri në fyt, ndaj dhe ai mendon tani se si të kalojë nga kryeministër në president, por i them se ajo nuk do të ndodhë. Thuhet se ka filluar të ketë telefonata nga Bllako, por ato janë punët e tyre. Por, Bllako është vetëm një kapter në aferën e madhe ku gjeneralë janë Rama, Agaçi, Ahmetaj dhe Veliaj”, u shpreh Berisha.