Ilir Meta nuk do të jetë sot në seancën dëgjimore të komisionit të ligjeve ku do të shqyrtohet kërkesa e deputetëve të PS për shkarkimin e tij.

Presidenti Meta i ka kthyer përgjigje me anë të një njoftimi komisionit, ku ndër të tjera deklaron se nuk mund të jetë në seancën e sotme për shkak të axhendës, por se shprehet i gatshëm për të shkuar në 10 maj Ditën Kombëtare të Drejtësisë.

Presidenti shkruan në përgjigjen e tij se ‘ky nxitim i Komisionit të Ligjeve, sidomos në këtë situatë pas realizimit të zgjedhjeve të 25 prillit, përveç se reflekton qartë se po realizon me urgjencë përmbushjen e porosisë politike për të krijuar një proces fiktiv për shmangien e vëmendjes nga gjendja reale post zgjedhore dhe zbardhja e krimeve zgjedhore, mbart dhe rrezikun evident për të konsumuar shkelje kushtetuese dhe ligjore që natyrshëm, prodhojnë shpërdorim të veprimtarisë së deputetëve të Kuvendit, që për pasojë ka vetëm pavfleshmërinë e gjithë kësaj nisme fiktive’.

Meta  thekson se ka shprehur gatishmërinë e tij për t’u takuar, diskutuar e për t’u shprehur me dhe në Komisionin e Ligjeve, por se agjenda e Presidentit të Republikës, është e paracaktuar, dhe i mundëson zhvillimin e këtij takimi apo mbajtjen e bashkëbisedimit e bashkëdëgjimit me anëtarët e këtij Komisioni, në datën 10 maj 2021.

“Kjo datë, 10 maj 2021, përveçse përkon me një ditë të lirë në agjendën e tij, përkon edhe me Ditën Kombëtare të Drejtësisë Shqiptare. Nuk do të kishte një moment më të përshtashëm që një aktivitet i tillë i përbashkët, të zhvillohej në një ditë kaq të rëndësishme për Shqipërinë, që evokon përpjekjet e parreshtura të shtetit shqiptar për shtetin e së drejtës!”, thuhetr më tej.

Sipas njoftimit, Presidenti Meta do të takohet sot me Ministren Federale për Çështjet Europiane dhe të Kushtetutës së Republikës së Austrisë znj. Karoline Edtstadler; dhe Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Sh.T.Z. Borut Pahor.