Kuqezinjtë janë gati për miqësoren e dytë brenda katër ditësh, këtë herë në transfertën e Pragës me Republikën Çeke. Tekniku Edoardo Reja ka planifikuar ndryshime në lojtarë, në krahasim me formacionin titular që barazoi 0-0 kundër Uellsit në Kardif. Natyrisht tekniku do ti japë mundësi atyre lojtarëve që ka patur më pak para syve, pa ndryshuar modulin tipik, me të cilën do të rreshtohet edhe kundër çekëve. Tekniku nuk ka zbuluar asgjë, ndaj dhe ka insistuar në të dy seancat e zhvilluara në Ceki që vetëm 15 minuta të ishin të hapura për median.

Nëse një ditë më parë, të gjithë titullarët që luajtën kundër Uellsit bënë stërvitje të diferencuar, më tepër shlodhëse për muskujt, në atë zyrtare në stadiumin ku do të luhet ndeshja italiani i ka kushtuar vëmendje detajeve taktike, sidomos aspektit ofensiv. Sipas asaj që kuptohet nga séance stërvitore porta do të jetë akoma e Selmanit, që do të mbrohet nga e njëjta linjë defensive që asfiksoi uellsianët.

Kështu, me Ismajlin, Kumbullën e Gjimshitin të rikonfirmuar në qendër, krahët janë ato që tekniku ka ndërmend ti freskojë. Veseli e Trashi duhet të marrin vendin e Dokës e Lenjanit, ndërsa Abrashi e Bare këtë herë do të ndihmohen nga elegance e Kallakut, që mendohet ta nisë titular në vend të Cekicit, që në ndeshjen e të shtunës bëri një performancë të rëndësishme. Sulmin Reja ka ndërmend tia besojë të njëjtëve emra: Balaj e Manaj. Ndoshta edhe për të perfeksionuar manovrën apo për të rritur mirëkuptimin e dyshes, në kohën kur konfirmohet se Broja nuk do ti bashkohet skuadrës së parë, pasi ndihmoi U21 e Bushit të merrte fitoren në transfertën e Andorras. Italiani për momentin nuk ka dyshime, por megjithatë, si zakonisht preferon ti fshehë letrat në dispozicion, duke ndryshuar shpesh në castet e fundit…