Kombëtarja shqiptare i ka dhënë fund seancave stërvitore në Durrës dhe sot ka fluturuar për në Islandë në kuadër të ndeshjes së parë të Ligës së Kombeve. Edoardo Reja megjithatë duhet të bëjë në këtë transfertë pa dyshen titullare të sulmit Broja-Uzuni. Dëmtimi i sulmuesit vazhdon të jetë shqetësues e kështu është preferuar që ai të lihet pushim për ndeshjen e parë, që të vazhdojë të rikuperohet në Durrës për ndeshjen e dytë. “Myrto Uzuni ka zhvilluar stërvitje të diferencuar për shkak se vuan nga një dëmtim në kavilje dhe stafi mjekësor, pas konsultimeve ka vendosur që lojtari të qëndrojë në Shqipëri dhe të vijojë me rikuperimin. Kësisoj, sulmuesi nuk do të jetë për ndeshjen e parë, ndërsa stafi shpreson ta ketë të gatshëm për sfidën me Izraelin”, shkruhet në njoftimin e FSHF.

Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se sulmuesi Armando Broja do të mungojë për ndeshjen e parë në Islandë, pasi ende nuk është rikuperuar. Futbollisti ka rezultuar negativ në testin e fundit Covid-19 të bërë një ditë më parë dhe ka nisur stërvitjen në mënyrë individuale te Çelsi.

Stafi i Kombëtares është në kontakte të vazhdueshme me klubin anglez për t’u përditësuar mbi gjendjen fizike të sulmuesit, i cili nuk mund të rikuperohet në kohë për ndeshjen e parë. Broja do t’i bashkohet përfaqësueses shqiptare në Durrës pas kthimit nga Islanda dhe stafi teknik shpreson që ai të jetë në gjendje optimale për të luajtur në dy sfidat ndaj Izraelit dhe Estonisë.